Plagosi me thikë kryebashkiakun e Divjakës, Gjykata mban në burg Orgest Xhelilin

Orgest Xhelili, që plagosi me thikë kryebashkiakun e Divjakës Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij u la në burg nga Gjykata e Lushnjes. Para seancës, Babai i autorit, tha se i biri ishte provokuar, ndërsa avokatët e 46 vjeçarit thanë se ngjarja është pasojë e sjelljes si bajraktar e Kryebashkiakut të Divjakës.

Gjykata e Lushnjes la në burg Orgest Xhelilin, që plagosi me thikë kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij Gazmend Bullari.

Para gjykatës, babai i 46 vjeçarit, deklaroi se djali i tij ishte provokuar nga njërëz që qëndrojnë pranë kryebashkiakut. Abaz Xhelili zbuloi se i biri ishte marrë në pyetje edhe nga krimi ekonomik për një çështje që duket lidhet me bashkinë e Divjakës.

Avokatët e 46 vjeçarit ishin më të ashpër në deklarata. Ata thanë se Orgest Xhelili ishte dhunuar nga policia bashkiake e Divjakës, ndërsa theksuan se Fredi Kokoneshi sillet si bajraktar në Divjakë.

"Jemi para veprimeve arbitrare të policisë bashkiake. E kanë marrë forcërisht me dëshirën e kërkesën e kryebashkiakut. Kokoneshi po hetohet për veprime arbitrare dhe kërkuam afat 2 mujor sa të kryejë veprimet prokuroria" 

Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi u sulmua me thikë të premten e 11 nentorit 2022 nga 46 vjeçari Orgest Xhelili, ku i plagosur mbeti edhe shoferi i tij që ndërhyri për ta shpëtuar. Të dy ndodhen ende në Spital ku po trajtohen për plagët e marra.

Plagosi me thikë kryebashkiakun e Divjakës, Gjykata mban në burg