Konfiskohen pasuritë e Roland Domit, dyqane, apartamente, toka e makina

Gjykata e Posaçme konfiskoi 11 pasuri në pronësi të Roland Domit, i njohur edhe me emrin Taulant, i akuzuar nga autoritetet italiane për disa vepra të rënda penale.

Pronari i aseteve të konfiskuara është shpallur në kërkim nga Gjykata e Xhenovas në Itali e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Pas masës së vendosur në mungesë të Domit, gjykata italiane e ka dënuar atë për këto vepra penale ndërkohë që pas arrestimit të tij në Shqipëri në vitin 2012, procesi i ekstradimit dështoi për shkak të tejkalimit të afateve.

Mes pasurive të sekuestruara janë dy sipërfaqe me nga 3300 dhe 234 metër katrorë në Xhafzotaj si dhe tri njësi shërbimi me sipërfaqe të ndryshme në Durrës.

Më tej lista vazhdon me dy ara me sipërfaqe totale rreth 2800 metër katrorë në Marikaj, apartament në Kavajë dhe dy automjete në Durrës.

Hetimi për pasuritë e Roland Domit, i cili njihet edhe me emrin Taulant Domi, filloi në bazë të operacionit Forca e Ligjit, ku policia e shtetit i dërgoi të dyshuarit formularin për burimin e pasurisë.

Pas hetimeve disa mujore, SPK arriti në përfundimin se 11 pasuritë nuk justifikoheshin me burime të ligjshme dhe për më tepër kishte dyshime se ishin krijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal. Në përfundim të procesit, Gjykata e Posaçme ka vendosur që pronat të konfiskohen dhe ti kalojnë shtetit.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mori vendim më 14.11.2022.

Konfiskimi u bë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Janë konfiskuar

1.Pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “Arë”, me sipërfaqe totale 3.300 m², Xhafzotaj Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

2.Pasuria e paluajtshme lloji i pasurisë “TR metalike”, me sipërfaqe totale 234 m², nga e cila 234 m², Truall dhe nga kjo sipërfaqe trualli 82 m² ndërtesë, Xhafzotaj, Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

3.Pasuria e paluajtshme njësi shërbimi me sipërfaqe totale 34.32 m², Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

4.Pasuria e paluajtshme njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 20.26 m², Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

5.Pasuria e paluajtshme njësi me sipërfaqe totale 26.36 m², Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

6.Pasuria e paluajtshme ndërtesë, me sipërfaqe totale 128 m², Durrës, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

7.Pasuria e paluajtshme Arë, me sipërfaqe 2,026 m2, Marikaj – Tiranë, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

8.Pasuria e paluajtshme Arë, me sipërfaqe 888 m2, Marikaj – Tiranë, në pronësi të shtetasit Roland (Taulant) Domi;

9.Pasuri e paluajtshme apartament, me sipërfaqe prej 34 m2, me kuotë pjesëmarrje 3.6%, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetases N. Domi;

10.Automjet i llojit autoveturë, i markës “Daimler Chrysler”, në pronësi të shtetases D. Domi;

11. Automjet i llojit autoveturë, i markës Chrysler Voyager, në pronësi të shtetases D. Domi.