Presidenti i Azerbajxhanit vjen të martën në Tiranë, Rama i kërkoi rafineri gazi
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alyiev, do të vizitojë Shqipërinë ditën e martë me ftesë të presidentit shqiptar, Bajram Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar do ta presë presidentin azer me ceremoni zyrtare shtetërore. Kjo konsiderohet si një vizitë historike, duke qenë se është hera e parë që presidenti azer mbërrin në Shqipëri.
Me Azerbajxhanin, Shqipëria ka marrëveshjen për gazsjellësin Trans Adriatik që është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, dhe transporton gaz natyror në Evropë nga fusha Shah Deniz II në Azerbajxhan.
Duke u lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian në kufirin Greko-Turk, TAP kalon Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të dalë në breg në Italinë e Jugut për t'u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.
Kujtojmë se gjatë vizitës që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Baku në prill të këtij viti, me presidentin azer diskutuan për një serë projektesh dhe ndër to ndërtimin e një rafinerie gazi në Shqipëri.
