Rama me presidentin e Azerbajxhanit, flasin për TAP: Jemi xhelozë për Malin e Zi, presim të investoni te ne
Kryeministri Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Azerbajxhani. Rama ka zhvilluar një takim me Presidentin Ilham Aliyev.
Gjatë takimit dy liderët folën për bashkëpunimin e mëtejshëm në sektorin energjetik dhe atë të turizmit.
Aliyev: Vizita juaj dëshmon nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona. Kemi shfrytëzuar mundësinë për tu takuar me njëri-tjetrin. Jemi këtu për të diskutuar çështje të zhvillimit rajonal të cilat janë në krye të agjendës së Evropës dhe po kështu do të flasim për çështje dypalëshe ku do të shkëmbejmë informacion dhe do flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar që ka potencial për tu rritur. Do të diskutojmë po ashtu bashkëpunimin në sektorin e energjisë. Azerbajxhani prej një viti është bërë eksportues i gazit natyror drejt Evropës dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme. Duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit dhe sidomos TAP. Unë mendoj se kjo tashmë është më e dukshme se më parë. Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë, përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime për energjinë. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe. Jam i sigurt që ajo që është në proces diskutimi do të sjellë zhvillime të reja. Po ashtu do flasim për fusha të tjera siç është fusha e turizmit.
Kryeministri i shprehu mbështetjen e Shqipërisë Azerbajxhanit. Në fjalën e tij, Rama e ftoi presidentin që të bëjnë investime edhe në Shqipëri njësoj siç kanë bërë në Malin e Zi. Ai madje i kujtoi Aliyev të mbajë fjalën dhe të vijë në Shqipëri.
Rama: Është kënaqësie e madhe që gjendem këtu, pikë së pari pas një fushate mjaft të madhe të suksesshme për të kthyer pjesë të vendit tuaj që për shumë vite gjendej në një situatë të padurueshme. Shqipëria ka qenë është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit. Po kështu ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lavdueshme për paqe dhe bashkëpunim me fqinjin tuaj Armeninë. Ne jemi të dy të bekuar që kemi një urë të fortë mes nesh që është Turqia. Unë besoj se ne mund të bëjmë më shumë në bashkëpunimin tonë, pres me padurim të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona qoftë në sektorin e energjisë ashtu dhe turizmit. Ne jemi disi xhelozë për Malin e Zi se ju keni bërë investime, dhe shpresoj fort të bëni të njëjtën gjë dhe për Shqipërinë. Pres që ju të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri. Ndërkohë që prisja që ju të vinit erdha unë. Siç thonë kur nuk shkon mali tek Muhamedi shkon Muhamedi tek Mali.

