Ligj dhe për gradacionin e kondicionerit, institucioneve nuk u lejohet të tejkalojnë mbi 27 Gradë
Socialistët kanë gjetur një mënyrë origjinale për të kursyer energjinë elektrike, duke përcaktuar me ligj të posaçëm që çdo institucion shtetëror duhet ti mbajë në funksion kondicionerët jo më shumë se 27 gradë. Pikërisht kjo nismë u cilësua nga opozita si qesharake dhe groteske.
Qeveria mendon se kursimi i energjisë ndodh edhe nga përcaktimi me ligj që kondicionerët e institucioneve shtetërore të punojnë me një temperaturë deri në 27 gradë celcius.
Por këtë nismë që u miratua nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, opozita e ka konsideruar groteske.
Demokrati, Enkelejd Alibeaj, tha se qeveria kërkon të tallet me qytetarët shqiptarë me pretekstin e kursimit të energjisë.
Alibeaj: Është qesharake dhe cinike dhe shkruani se ndalohet ajri i kondicionuar mbi 27 gradë, e shkruani në ligj dhe kjo është një situatë groteske.
Në lidhje me këtë situatë, kryetarja socialiste e Komisionit, Klotilda Bushka, tentoi të bindë opozitarët për të mirat që mbart kjo iniciativë.
Bushka: Kursimi nis nga institucionet shtetërore. I vihet një rregull dhe këto janë masa për kursim energjie dhe këto kanë kryefjalë kursimin. Subvencioni është për ata që duan të kthejnë energjinë në energji diellore. Për këtë po na akuzoni?Ne me përgjegjësi jemi duke iu përgjigjur pasojave të krizës.
Gjatë mbledhjes për marrjen e masave të kursimit të energjisë elektrike, pati dhe debate të forta mes opozitës dhe këshilltarit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.
Deputeti demokrat, Bledion Nallbati, u largua nga mbledhja pasi tha se qeveria po tallet me shqiptarët dhe se nuk po merret asnjë lloj mase lidhur me kursimin e energjisë.
Bejtja: Zotëri ju ishin ironik sa deshët dhe nuk pranoni që unë të jem modest.
Bushka: Qartë, ke shumë të drejtë!
