Përjashtimi i Palokës e Leskajt, hakmarrje e PS/Nallbati dhe Korreshi zbardhin debatet në Këshillin e Mandateve

Vendimi i mazhorancës për të përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit dy deputetët e Partisë Demokratike Edi Paloka dhe Bujar Leskaj ishte i pabazuar në fakte. Bledion Nallbati dhe Saimir Korreshi, që ishin pjesë e mbledhjes në fjalë, bëjnë me dije se vendimi ishte thjesht një hakmarrje politike e socialistëve.

Edi Paloka dhe Bujar Leskaj janë përjashtuar për 10 ditë nga kuvendi pas replikave me kryeministrin Edi Rama në pushimin e seancës parlamentare të së enjtes.

Vendimi i Sekretariatit për Procedurat dhe Etikën u bë i ditur mëngjesin e kësaj të premteje (11 nëntor), me arsyetimin se dy deputetët demokratë kanë përdorur një fjalor jashtë etikës dhe në gjendje të dehur.

Sipas deputetëve Bledion Nallbati dhe Saimir Korreshi, pjesë e Sekretariatit, vendimi ishte i pabazuar në fakte dhe një hakmarrje politike.

Korreshi: Kërkuam se cilat ishin shprehjet fyese që dy deputetët, kolegët tanë të opozitës, kishin bërë. Nuk na u tha asnjë nga këto. Asnjë provë e bashkëlidhur, qoftë audio apo video. Kërkesa kishte abuzivisht edhe një shprehje po fyese ku thoshte ndoshta nën efektin e pijeve alkoolike. Unë nuk e di që kolegët mbajnë ndonjë aparat Drager me vete.

Ata shprehen se përjashtimi i Palokeës dhe Leskajt është urdhëruar nga vetë Rama, ndaj të cilit kanë kërkuar të kryhet edhe testi i drogës.

Korreshi: Kërkuam ti bëhet testi i kokainës atij se ndoshta ka qenë dhe ai në provokimet e tyre nën efektin e kokainës.

Nallbati: Ky Komision është ngritur në bazë të këtij urdhri të dhënë verbalisht në sallë, ku kryeministri udhëroi kryetaren e Parlamentit si ta kishte një vasale të veten: Urgjentisht mi qëro jashtë këta nga salla!

Vetë Paloka për Ora News, ka rrëzuar pretendimet e fyerjeve nën efektin e alkoolit, sikurse është shprehur se ka reaguar me kolegun e tij Leskaj për shkak të gjuhës së papërmabjtur që Rama ka ushtruar në seancën plenare të së mërkurës ndaj opozitës.

Paloka: Thjesht i thamë në surrat gojëqelburit atë që meritonte. Fëlliqsirë që duhet ti hiqet një orë e më parë këtij vendi. Edhe skllavi ka një moment kur thotë "Mjaft!"