Rruga që gërryen buxhetin, aksi Qukës-Qafë Plloçë, opozita qeverisë: Morët 60 mln dollarë për 6% të rrugës
Ministria e Infrastrukturës ka marrë rreth 60 milionë dollarë për të përfunduar rrugën Qukës-Qafë Plloçë, projekt ky i nisur që në vitin 2008. Gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, opozita akuzoi ministrinë e infrastrukturës për korrupsion, pasi sipas tyre është e pamundur të merren borxh 60 milionë dollarë për të përfunduar vetëm 6% të rrugës.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë vijon të gërryejë arkën e shtetit, pasi që prej vitit 2008 kur ka nisur projekti, ky segment u ka kushtuar shqiptarëve 210 milionë euro.
Dhe kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për shtesë prej 60 milionë dollarësh për tu investuar sërish në këtë rrugë ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës së Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
“Qytetarët kuptojnë që një rrugë nga buxheti i shtetit kaloi në kredi. 150 mln janë harxhuar ndërkohë në relacion thuhet se 94% e punimeve janë kryer. Rregulloni atë relacioni dhe mbroni atë çfarë shkruani. Buxheti i shteti ka prokurime dhe sigurisht ju do të sillni një kredi tjetër. Për 2.9 km do të merrni dhe nja 60 mln dollarë. Juve ju vjen keq kur ju përmendet abuzimi dhe korrupsioni dhe ju vjen keq që ne ju kërkojmë llogari. Rruga është akoma e papërfunduar dhe prandaj ne jemi kundër dhe refuzojmë këto lloj bisedash qesharake dhe këtu janë mln dollarë.”
Këto akuza të deputetes Dhurata Çupi u kundërshtuan nga zv. ministrja Enkelejda Muçaj, e cila u shpreh se arsyeja kryesore e mos përfundimit të kësaj rruge ishte, sepse projekti u bë gabim.
“Projekti ka qenë me gabime dhe nëse dhe në respekt të profesionit dhe personit që qëndron. Ekziston një dosje e tërë dhe korrespondenca pasi me të drejtë tha që projekti i shqyrtuar që janë vënë në vëmendje dhe nga banka islamike.”
Por ky pohim i zyrtares do të nervozonte edhe deputetes socialist në Komision. Pandeli Majko tha se nëse institucioni ka parë që projekti kishte gabime, duhet ta kishte denoncuar që në fillim.
“Lidhur me dyshimet përsa i përket mënyra si është menaxhuar kjo lloj rruge jam me ju. Ka dy rrugë ose ta lësh projektin ose ta bësh nga e para dhe besoj se të gjithë dokumentet që janë paraqitur nuk besoj se bëjnë indicie për mashtrim. Këto kanë filluar në momentin që është bërë projekti. Institucionet përkatëse kanë për detyrë që të denoncojnë problemet e kësaj rruge.”
Por debatet vijuan edhe mes deputeteve të të dyja kampeve të cilat hodhën përgjegjësinë për mos përfundimin e kësaj rruge mbi partitë përkatëse.
