Afera korruptive me Portin e Durrësit, Meta: Rama përzgjodhi kompanitë e tij guacka dhe ofshor
Zhvendosja e Portit të Durrësit dhe ndërtimet e parashikuara në të për opozitën është një tjetër aferë korruptive. Duke kundërshtuar qëndrimet e kryeministrit Edi Rama kreu i PL Ilir Meta u shpreh se kompanisë investuse po i falet toka në një zonë të shumë kërkuar dhe po ashtu edhe taksat.
“Edi Rama në vend të kompanive prestigjioze evropiane që mund të merrnin pjesë në një tender të hapur e transparent sikurse BE ka kërkuar përzgjodhi kompanitë e tij guacka dhe ofshor me pronarët e fshehur. Shteti ka vënë në dispozicion 12 mijë e 800 m2 pa pagesë ndërkohë që dihet vlera që ka kjo sipërfaqe që shkon në qindra miliona euro të tjera.”
Meta tha se për investimin mund të ofroheshin kompani të mirënjohura në BE, por sipas tij fakti që i përzgjedhuri është në ofshor flet për korrupsion dhe pastrim parash.
“Për shkak të angazhimit të drejtpërdrejtë të qeverisë në korrupsion, në mungesë transparence, në PPP-të e fryra në mënyrë katastrofike dhe në të gjithë evazionin ku është përfshirë qeveria përveçse në korrupsionin e jashtëzakonshëm në tatime e dogana Shqipëria humbet çdo vit minimumi 2 miliard e 200 milion euro. Janë qindra milion euro që ju jepen pronarëve të fshehur në guacka dhe ofshor miqve të Edi Ramës.”
Në deklaratë për mediat Meta shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të borxhit dhe fondet e ulëta për familjet në nevojë.
