"Katastrofë! Bëhemi salcë! Pisllik i madh" Urbanët, makthi i qytetarëve të Tiranës
Me pritje të gjata në stacion e më pas shtyrje e ngucje në urban.
Kështu nis mëngjesi për shumë qytetarë të Tiranës që janë të detyruar të përdorin transportin publik.
Thuajse të gjithë janë përplot me njerëz.
Në orët e mëngjesit luks nuk është gjetja e një ndenjëse të lire por futja në urban, mjafton edhe ngjitur pas dyerve.
Prej shkurtit të vitit 2016 kur bileta u rrit me 10 lekë kompanitë e transportit publik premtuan cilësi të lartë në shërbim por kushtet nuk u përmirësuan kurrë.
“ Katastrofë, shume keq. Ata bëhen salcë, salcë. Kur futesh brenda të merret fryma. Vjen me vonesë, detyrohemi e presim” thonë qytetarët
Përveç se të mbingarkuar në urbane mungon edhe higjiena.
Qytetarët i frikësohen marrjes së infeksioneve për shkak të papastërisë.
“Pislliku i madh në autobus, po na kap sëmundja” thotë një qytetare tjetër.
Por kur mëngjesi kalon, e në mjetet e transportit publik ka më pak udhëtarë, një tjetër problem që lind është, vonesa.
Shumë nuk ja dalin të mbërrijnë në orar, në punë shkollë apo destinacionet që kanë.
Por pritja ndodh të jetë edhe më e gjatë.
“Nga Sauku deri këtu duhet një orë, llogaritë edhe me këmbë e bën më shpejtë.
Në 7:30 duhem në punë por ora është 7:35 unë jam akoma këtu. Sidomos linja, Uzina Traktor, është tmerr fare” thanë qytetarët
Kësaj vajze orari i punës i ka kaluar duke pritur prej të paktën 1 ore urbanin në stacion.
“Duhet të shkoj në punë në këtë orar, ska urban, normal që do vonohem për punë.Kam që në orën 10 pa 10 këtu, është akoma ora 10:30 nuk ka asnjë urban të Vorës. Në 10:30 duhet të isha në punë” tha një qytetare.
Ajri i rëndë brenda tyre dhe mosndezja e kondicionerëve është një tjetër shqetësim.
“Katastrofë, jemi të gjithë bashkë aty, është ngusht, kondicionerët nuk i ndezin” tha një qytetare
Por përballë këtyre problematikave që mbeten të njejta prej kaq shumë vitesh kompanitë e transportit publik dhe bashkitë e Tiranës qëndrojnë indifernete duke mos marrë masa për ofrimin të paktën e kushteve minimale.