Tre të arrestuar në Tiranë për dhunë, ngacmime seksuale, përndjekje dhe mashtrim me adresa false me foto vajzash
Valë arrestimesh në kryeqytet për dhunim dhe përndjekje ndaj grave dhe vajzave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin Y. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij.
Nga komisariatit i Policisë Nr. 3 u arrestua në flagrancë shtetasi M. Xh., banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy shtetase.
Ndërkohë specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin G. G., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish-të dashurën e tij.
Po nga efektivët e këtij komisariati u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, për shtetasit e mitur D. B. dhe D. P., banues në Tiranë, pasi kanë krijuar adresa false, me foto vajzash, në rrjetin social Instagram, dhe nëpërmjet tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

