Opozita: Buxheti 2023 për gomone dhe shpopullim
Për opozitën me buxhetin e vitit 2023, qeveria vijon të varfërojë shqiptarët. Mungesa e investimeve sipas deputetit Flamur Noka ka detyruar edhe policët të largohen. Por kjo deklaratë në Kuvend, është kundërshtuar nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se janë rritur me 15% pagat për punonjësit e policisë së shtetit.
Për demokratët buxheti i parashikuar nga qeveria për vitin e ardhshëm është një buxhet gomonesh dhe i shpopullimit të vendit.
Nga foltorja e Kuvendit deputeti Flamur Noka u shpreh se mungesa e investimeve po bën që jo vetëm infermierë e mjekë por edhe policët të ikin nga vendi.
Flamur Noka:Ky është buxheti i gomoneve. Buxheti i shpopullimit të Shqipërisë. Nga harta e investimeve është fshirë arsimi, bujqësia, të gjithë sektorët jetikë të këtij vendi. Pse sot po ikin policët nga puna e marrin gomonet? Pse oficerët po iki e braktisin SHISH?
Në replikë, ministri i brendshëm Bledi Çuçi, tha se janë rritur me 15% pagat e 74% të trupës së policisë së shtetit.
Bledi Çuçi: "Ne bëmë të mundur të rrisim pagat e mbi 7 mijë punonjësve të policisë së shtetit në masën 15 %. Këtë rritje do ta garantojmë edhe më tej."
Edhe gjatë seancës së të mërkurës (9 nentor) opozita u shpreh disa herë se ky buxhet nuk po bën asgjë tjetër veçse po rëndon mbi xhepat e shqiptarëve, edhe pse mazhoranca nuk i pranoi këto akuza dhe u shpreh se qeveria nuk i ka lënë në baltë shqiptarët.