Lirohen vajzat e Call Center, Guardia Civil spanjolle kërkon organizatorët e mashtrimeve online

Asnjë person nuk është në pranga pas operacionit të Policisë Spanjolle dhe autoriteteve shqiptare në disa Call Centera nga ku dyshohet se janë ngritur skema mashtrimi online të qytetarëve, kryesisht spanjollë. Të gjithë të shoqëruarit u liruan, ndërsa po kërkohen organizatorët e kësaj veprimtarie.

Operacioni i përbashkët mes policisë spanjolle dhe asaj shqiptare në Call Centerat e dyshuara për mashtrime online përfundoi pa të arrestuar.

Të gjithë të shoqëruarit në Vlorë u lanë të lirë pasi u morën në pyetje në policinë lokale.

Edhe në Elbasan, nga ku nisi operacioni, konfirmohet se askush nuk u gjet në ambientet ku dyshohet se ka funksionuar një Call Center.

Një ditë pas ndërhyrjes së policisë ambientet e kontrolluara ishin të mbyllura.

Puna e hetuesve tani është përqëndruar në zbulimin e skemave të mashtrimit dhe personave të përfshirë.

Për këtë ekspertët kanë tashmë në dorë kompjutera dhe prova materiale të tjera të sekuestruara në ambientet ku ushtronin aktivitet kompani “Call Center”.

Operacioni i Guardia Civil Spanjolle, e mbështetur nga Policia e Shtetit dhe nën drejtimin e SPAK u zhvillua thuajse në një kohë në Elbasan, Tiranë dhe Vlorë.

Kontrollet mësohet se u kryen në kuadër të një hetimi të përbashkët, detajet e të cilit nuk janë bërë të ditura.

Mashtrimet online përmes Call Centerave me bazë në Shqipëri është një shqetësim që e kanë ngritur pranë SPAK disa vende anëtare të Bashkimit Europian.