Xhaxha e nip, dy laçianë arrestohen si të dyshuar për grabitjen me armë në Krujë
Kastriot dhe Xhoni Guri, nga Laçi u arrestuan në Krujë për vjedhjen me armë, në një banesë në fshatin Brret. Dyshimet e policisë janë se xhaxha e nip janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera në zonë
Xhaxha e Nip nga Laçi, merrnin pushkën dhe dilnin e vidhnin bashkë.
Rasti i fundit ishte në fshatin Brret të Krujës.
Nën kërcënimin e armës u futën në banesën e një 40 vjeçari ku morën sende të ndryshme me vlerë.
Disa orë më pas Kastriot dhe Xhoni Guri, përkatësisht 38 dhe 22-vjeç përfunduan në pranga. Policia e Krujës u gjeti edhe sendet e vjedhura.
Bizhuteri, mjete pune dhe një set kamerash sigurie që u sekuestruan bashkë me pushkën që përdornin gjatë vjedhjeve.
Për nga skema që përdornin, dyshimet e policisë janë se xhaxha e nip mund të jenë autorë të disa rasteve të vjedhjeve kryesisht në zonën e Krujës dhe Kurbinit.
Më këtë dyshim, policia dhe prokuroria thonë se po vazhdojnë hetimet.
Javët e fundit në vend janë shënuar disa raste të grabitjeve me armë dhe maska, ku në shenjestër kanë qenë biznese dhe banesa, ku jetojnë të moshuar me fëmijë emigrantë.
Të martën një market u grabit nga 4 persona të maskuar në Voskop të Korçës, të cilët ende mbeten të lirë.
Operacioni u kodua “Brreti” dhe ndaj tyre u formua akuza “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim.
