Alqi Bllako rikthehet në qeli
Apeli rikthen në qeli ish-deputetin socialist Alqi Bllako i akuzuar për aferat e incineratorit të Fierit. I arrestuar që me 1 shkurt , ai përfitoi një muaj liri me vendim të Gjykatës së Posaçme, por Apeli me kërkesë të SPAK ia hoqi këtë lehtësi.
Nga shtëpia në gjykatë, e nga gjykata në qeli.
Liria e Alqi Bllakos zgjati pak për të, 34 ditë, por mjaftueshëm për Apelin që ta rikthente në burg për incineratorin e Fierit.
Të mërkurën e 9 nëntorit ish-deputetit socialist i vunë prangat në sallën e gjyqit. Me kërkesë të SPAK, gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e 6 tetorit të marrë nga Gjykata e Posaçme e cila e liroi Bllakon.
Nga arrest shtrëpie, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi “arrest me burg”, duke mos marrë parasysh këtë herë atë që GJKKO renditi si arëyse për ta lënë në shtëpi: kujdesin për 3 fëmijët e mitur pas gjendjes së rënduar të familjes së tij.
Avokati Sokol Azizaj, tha se nuk priste rikthimin e ish-deputetit në burg ndërsa njoftoi se këtë çështje do ta çojë në Gjykatën e Lartë.
"E vërteta është se në këtë vend, në këtë gjykatë është kthyer një fabul popullore, ik se të vrara, dhe zbrit se të vrava. Gjykata e Apelit mbajti qëndrim të cilin se ka arsyetuar akoma. Bllako u lirua më herët se nuk përbente rrezik për prishjen e provave. Ajo që nuk kuptoj është se ‘arresti me shtëpi’ dhe ‘arresti në burg’ janë e njëjta gjë. Bllako erdhi vetë në gjykatë se nuk përbën rrezik," tha ai.
Ish deputeti akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Sipas SPAK ai ka falsifikuar dokumente shpronësimi të tokës mbi të cilën do të ndërtohej inceneratori i Fierit, e këto dokumente false iu paraqitën qeverisë.
Po ashtu ai akuzohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim të përfitimeve prej afro 150 mijë dollarë dhe se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit.
Gjatë seancave gjyqësore, Bllako ka thënë se se nuk ka pasur rol vendimmarrës në Ministrine e Mjedisit e vetëm ka përcjellë shkresa si Sekretar i Përgjithshëm.