Gështenja shpreson ende te bashkimi: E pafalshme për PD të përsërisë një 6 mars të dytë
Edhe pse dy palët në PD duket se e kanë të qartë rrugën e tyre, ku Rithemelimi është drejt përmbylljes së primareve dhe PD zyrtare ka nisur ristrukturimin, deputeti Lefter Gështenja sheh akoma dritë në fund të tunelit.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se Partia Demokratike nuk e ka luksin të përsërisë një 6 mars të dytë, duke garuar me njëri-tjetrin se kush do zërë vendin e dytë pas Ramës.
Gështenja: Shpresoj dhe besoj që të ketë reflektim nga të gjitha palët që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët për të fituar zgjedhjet vendore.
Do të jetë krejt e parëndësishme për secilën palë nëse ne futemi në zgjedhjet vendore se kush do jetë i dyti. Do të jetë e pafajshme që me 15 apo 16 maj ne ti drejtojmë gishtin njëri-tjetrit kush ishte fajtori, do të jetë e pafalshme për secilën palë që ne të përsërisim një 6 mars të dytë.
Duhet me çdo kusht dhe çdo çmim të dalim me një kandidat, pse jo me një figurë jopolitike. Në çdo bashki dhe njësi administrative duhet të dalim me një figurë me profil të lartë publik, njerëz që janë përbashkues dhe jo përçarës, me një model krejt ndryshe nga mazhoranca.
Ai thotë se personalisht po punon në këtë drejtim në zonën e tij elektorale.
Gështenja: Është një punë që ka kohë që e bëj jo vetëm në Prrenjas dhe Elbasan por dhe më gjerë. Po punoj dhe shpresoj se do kemi alternativa të tjera. Nuk kam qenë dhe nuk jam kundër primareve.
Për deputetin demokrat palët i mban ende larg mungesa e vullnetit.
Gështenja: Ka mungesë vullneti. Në PD veç krizës politike është problem kriza e besimit mes palëve, është kriza e mungesës së legjitimitetit mes palëve, palët nuk njohin njëra-tjetrën. Duhet që palët të bëjnë një hap pas dhe të shohim përtej karriges tonë.
Sa i takon dorëheqjes së deputetëve Rushaj dhe Duma, ai tha se respekton vendimmarrjen e kolegëve të tyre duke mos preferuar të komendojë më gjatë.
