Konfiskimi i Rtv Ora, politik/ Avokati Muçi: Të shokuar nga vendimi, terësisht antiligjor

Avokati, Besnik Muçi, e ka cilësuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme për mbylljen e Rtv Ora shokues.

Në një intervistë për gazetaren Beti Njuma në Rtv Ora, ai thotë se ky vendim nuk mbështet në ligj dhe as në prova dhe si i tillë është terësisht antiligjor.

Muçi: Vendimi i sotëm dhe për ne avokatët ishte vërtet shokues sepse vijmë pas një procesi me shkelje jashtëzakonisht të shumta, shkelje në materie por dhe në atë proceduriale. Kjo e bën vendimin e sotëm plotësisht antiligjor. Nuk gjejmë as një mbështetje në ligj dhe prova të këtij vendimi. Ne bëmë një betejë të gjatë ligjore gati 2 vjet e gjysmë që nga sekuestrimi i pasurisë.

Avokati tha se pret zbardhjen e vendimit nga gjykata për të parë sesi do të justifikojë mosmarrjen parasysh të aktekspertimit të prodhuar nga vetë ajo.

Muçi: Ne sot kemi vetëm pjesën urdhëruese të vendimit nuk e kemi të argumentuar, për të parë sesi mundet gjykata të ketë argumentuar vendimin e saj. Si mundet gjykata të ketë shkelmuar me të dyja këmbët, të mos ketë marrë provën që vetë e prodhoi në procesin gjyqësor?

Është një shkelje shumë e rëndë. Nuk e di si gjykata do të justifikojë këtë aktekspertimi, i cili provon me dokumenta të ardhurat e zotit Ndroqi. Përveç të gjithë taksave të tjera gjatë aktivitetit të kompanisë dhe 15% i të ardhurave mbi dividentin. Janë 6 milion euro.

Ai sqaron se një pjesë e kompanive dhe pasurive private të zotit Ndroqi janë krijuar me kredi bankare që vazhdojnë të shlyhen dhe sot e kësaj dite.

Muçi: Sot ajo pasuri është kolateral i bankës i marrë nga zoti Ndroqi kredi dhe përsëri gjykata merr vendim për konfiskimin e kësaj pasurie. Ligji Antimafia thotë se ke detyrim të provosh burimin e ligjshëm të pasurisë. Si mund të provojë një qytetar burimin e ligjshëm të një pasurie më shumë sesa ta ketë marrë me kredi bankare. Vajtja deri në ekstrem është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme nga pikëpamja ligjore.

Ai paralajmëroi ndjekjen e të gjitha hapave ligjorë për kundërshtimin e  këtij vendimi në Arbitrazh dhe Strasburg.

Muçi: Ne jemi duke ndërmarrë të gjitha hapat qoftë imediat, me ditë, qoftë dhe hapat e tjerë për ta kundërshtuar vendimin brenda sistemit gjyqësor në Shqipëri. Do ezaurojmë të gjitha shkallat e gjyqësorit. Nëse asnjë askush nga gjyqtarët e këtyre gjykatave nuk do marrë në konsideratë këto prova e vështirë për të logjikuar si avokat një çështje të tillë. Përveç kësaj ka një proces tjetër qoftë në Arbitrazh, qoftë në gjykatën e Strasburgut.

Jemi duke ndërmarrë nga ky moment  çdo masë të nevojshme që parashikon procedura e gjykimit në gjykatën e Strasburgut kundër një vendimi të tillë qoftë emergjente qoftë dhe përfundimtare me qëllim dhe për të pezulluar ekzekutimin e vendimit. Gjykatat ndërkombëtare janë një mjet që qytetarët shqiptarë mund ta përdorin por është një mjet super i jashtëzakonshëm, kur gjykatat shqiptare marrin vendimmarrje të tilla që dalin jashtë logjikës juridike, injorojnë në mënyrë banale provat që shqyrtohen.

Është e vështirë dhe për ta argumentuar dhe kundërshtuar këtë vendim. Por përsëri kam besim edhe brenda sistemit gjyqësor shqiptar se gjykatat më të larta do ta shqyrtojnë me shumë kujdes çështjen se do jetë një barrë e madhe për qytetarët shqiptarë. Të gjitha shkeljet në këtë proces i kemi dokumentuar dhe do pasqyrohen si në Arbitrazh dhe në Strasburg dhe jam i bindur se nuk ka gjykatë ndërkombëtare të mos i marrë parasysh këto shkelje.

Avokati Muçi thotë se fakti që ka gjithë këto shkelje në materie dhe procedurë tregon se ka një sfond tjetër që në rastin konkret është politik.

Muçi:Goditja që i është bërë zotit Ndroqi është për shkak të televizionit.Kjo është nga argumentet themelore të këtij procesi, liria e shprehjes dhe medias dhe do të jetë nga argumentët themelorë tonat dhe në kundërshtimin e këtij vendimi.