Shima: Jemi në traumë, vendim politik, Veliaj e deklaroi disa herë mbylljen e RTV Ora para gjykatës
Drejtori i Informacionit në RTV Ora, Brahim Shima në një lidhje me Syri TV tha se pas konfiskimit të TV Ora, stafi i televizionit është në një traumë.
Ai u shpreh se vendimi është paralajmëruar disa herë nga Erion Veliaj, i cili ka deklaruar haptazi se RTV Ora dhe të mbyllet si televizion për shkak të kritikave.
Ai shtoi se pritet që sot ose nesër të vijnë përfaqësuesit që do të vijnë për t’i marrë nën menaxhim televizionet.
Shima: Është një traumë për të gjithë. Është bërë një diskutim me gazetarët se si do të vazhdohet puna, sepse edhe ne jemi të paqartë. Të gjithë janë në një traumë totale. Vendimi për mua është paralajmëruar disa herë nga kreu i bashkisë së Tiranës, që ka bërë disa deklarata në aktivitete të ndryshme, madje duke thënë se nuk duhet të ekzistojë. Kreu i bashkisë së Tiranës, brenda pak kohëve ka arritur që të mbyllë 2 televizione dhe një tjetër emision që publikoi vdekjen e Ardit Gjoklajt. Kjo tregon se vendimmarrja, edhe pse nuk e prisnim, ishte e paralajmëruar.
Mbyllet media sepse është kritike sepse nuk pranon që të transmetojë kronika të gatshme. Edhe deklaratat që media bën shantazhe sa herë është kritike shpresoj që të mos vijojnë. E gjitha nisi me RENEA-n sikur ishim kriminelë dhe përfundoi sot, që për mua është e gjitha politike. E kam ndjekur gjyqin në të gjitha seancat dhe nuk është marrë asgjë parasysh, sikur kjo media të mos ketë ekzistuar. Jemi në një situatë të vështirë. Vendimi i shkallës së parë është i zbatueshëm menjëherë, edhe pse mund ta apelosh. Presim sot ose nesër që të vijnë përfaqësuesit për t’i marrë nën menaxhim televizionet.

