Demalia: Mbyllja e RTV Ora vendim i drejtësisë së kontrolluar, dënim pa prova si në diktaturë

Analisti Ilir Demalia e ka cilësuar si një vendim skandaloz konfiskimin e RTV Ora, vendim për të cilin tha se është marrë pa prova.

Sipas tij, ky nuk është një vendim drejtësie, por i pushtetit që e kontrollon këtë të fundit dhe një hap për të instaluar diktaturën.

Ai shtoi se ishte i vetmi televizion që po mbante një qëndrim opozitar, kur televizionet e tjera marrin para nga incineratorët.

Demalia: Kjo është një luftë e gjatë, jo me drejtësinë, por me pushtetin që kontrollon vendimet. Nuk kemi të bëjmë me vendim drejtësie. Unë e kam parë dosjen dhe nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se këto janë para krimi. Çështja është se po i hapet rruga instalimit të një diktature. Kjo që ka ndodhur sot nuk ka ndodhur as në vitin 1945. Në gjendjen që është shteti sot dhe mjerimin ekonomik, dhe luksin e kryeministrit, ndërtimet dhe incineratorët. Koka e mafies në Shqipëri është bashkia e Tiranës me paratë e krimeve me ndërtimet.

I turpshëm është edhe qëndrimi i diplomatëve të huaj dhe i atyre që përfaqësojnë Evropën. Nuk ka vend në botë që të dënohesh pa prova, vetëm në diktatura ndodh kjo. Është një gjë skandaloze. Këtu kemi të bëjmë me palaço medie që nuk mban qëndrim dhe merr para nga shteti. Edhe opozita, që pretendon që të vijë në pushtet, që nuk kanë as moral, janë njëlloj, formati i tyre. Ishte i vetmi televizion që po mbante një qëndrim opozitar, kur televizionet e tjera marrin para nga incineratorët.