Mundësia e fundit për maturantët, deri në 8 nëntor aplikimet dhe regjistrimet kryhen në sekretaritë mësimore të fakulteteve

Gjatë raundit të tretë janë regjistruar në universitetet rreth 2 mijë maturantë.

Nga kjo e enjte dhe deri në datën 8 nëntor aplikimet, por edhe regjistrimet në institucionet e arsimit të lartë, do të bëhen pranë sekretarive mësimore.

Rizai, ka pritur këtë fazë pasi ende nuk ka fituar programin që dëshiron të studiojë.

"Mu duk më efikase kjo degë."

Aplikimet gjatë këtyre ditëve nuk do të bëhen më përmes portalit u-Albania por duke dorëzuar një kërkesë me shkrim pranë sekretarive mësimore.

Nga data 3 deri në 6 nëntor maturantët mund të bëjnë kërkesë për regjistrim vetëm në programet që kanë aplikuar gjatë raundit të tretë por nuk janë shpallur fitues.

"Kemi filluar fazën e aplikimit me kërkesa individuale.Të gjithë studentët që nuk janë regjistruar në një program studimi kanë të drejtën që sipas preferencave në programet që kanë aplikuar të depozitojnë pranë sekretarisë një kërkesë individuale për të ndjekur më pas procedurën për tu regjistruar definitivisht në këtë fakultet."

Ndërsa në datat 7 dhe 8 nëntor regjistrim do të ketë në të gjitha ato pragrame ku ka kuota të lira.

Voltisa Meçe nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë thotë se në të dyja fazat e fundit mesatarja mbetet kriter i fortë.

"Nëse në Gazetari kemi 10 kuota të lira dhe apolikantë 20 patjetër që do të renditen në bazë të mesatares."

Ministria e Arsimit, përmes formulari A1Z, vendosi që këtë të enjte t`ju jap mundësi për të vazhduar studimet e larta të gjithë atyre që kanë përfunduar gjimnazin vitet e shkuara.

Procesi i regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë përfundon në datën 8 nëntor.

Deri më tani kanë fituar të drejtën e studimit rreth 21 mijë maturantë.