Policia u pret rrugën në autostradën Tiranë-Elbasan, 3 të arrestuar për trafikimin e 21 klandestinëve

Tre të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 21 emigrantë, kundrejt fitimit, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Operacioni policor i koduar “Tranzit 21” çoi në arrestimin e shtetasve  R. I., 32 vjeç, Gramsh, D. G., 31 vjeç dhe P. L., 35 vjeç, të dy banues në Fier.

Këtas shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në autostradën Tiranë-Elbasan, duke transportuar me një automjet 21 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar iu kishin premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare me destinacion final vendet e BE-së.  

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 21 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror". 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.