Rrugë dytësore në toka bujqësore, banorët e Prozhmes përplasen me policinë e firmën tek Rruga e Kombit
Ndërtimi i rrugëve dytësore, pas mbylljes së hyrje-daljeve në rrugën e Kombit ka bërë që disa banorë të dalin në protestë.
Banorët e fshatit Prozhme janë përplasur me policinë dhe përfaqësuesit e firmës që po zbaton projektin, pasi kundërshtuan që rruga të kalojë përmes tokave bujqësore.
Disa prej banorëve janë shoqëruar në polici, ndërsa firma po vijon punimet falë mbështetjes së uniformave blu.
Banorët e këtij fshati kanë protestuar më parë kundër këtij projekti që sipas tyre është abuziv dhe ju dëmton tokën bujqësore nga e cila e kanë të varur jetesën.
"Policia na ka shoqëruar pasi kemi penguar punëtorët e firmës. Për atë që është bërë të paktën duam të na japë dëmshpërbim. Firma thotë se unë këtë projekt kam. Aty ka marrë 2 dynym, në dokumente vendosin 1 dynym e 200.
Do ta bllokojmë komplet rrugën nëse nuk merren masa. Rruga ka shkuar deri në rrëzë të avllisë. Dëm më të madh nuk ka.
Ja ku është rruga, as nuk vjen njeri të masë e të numërojë sa pemë janë shkulur, as hardhi e ullinj. Kam shkullur 40 rrënjë ullinj. Unë me bujqësi jetoj, s'kam me çfarë të jetoj tjetër," tha një banor.