Bukën e nxjerrin me qepë, fermerja në Miras: Prodhimi ka mbetur stok, mundi ka shkuar dëm
Nizamie Kaso, banore e fshatit Miras në Devoll hap derën e magazinës për të treguar se qepët që prodhoi këtë vit i kanë mbetur stok.
“Mundi i një viti të tërë.”
Janë rreth 70 kuintal.
Nga shitja e tyre Nizamija thotë se varet buka e gojës.
“Asnjë lloj të ardhure nuk kam, pres të shes këto që të ha bukë.”
Familja Kaso deri më tani nuk ka mundur të marrë as lekët që ka shpenzuar.
Këtë vit thonë se kostot ishin më të larta për shkak edhe të shtrenjtimit të plehrave kimike.
“150 mijë lekë është qiraja, mundi i tërë beharit, plehu është me 140 mijë lekë kuintali.”
Pavarësisht shpenzimeve të shumta çmimi i qepëve mbetet i ulët, 24 lekë kilogrami.
“Na ka vajtur sa s’ka ku të vejë më.”
Nizamija ankohet se e ka të vështirë të gjejë treg, sipas saj preferohen qepët e importit.
“Vijnë nga jashtë, kështu që mbeti malli.”
Të njëjtë hallin e kanë edhe banorët e tjerë të fshatit që kryesisht merren me kultivimin e qepëve dhe të mollëve.
Edhe për ta prodhimi i këtij viti është ende në magazina.
“Të të ikë malli kotë gjynah është.”
Nizamia mbyll derën e magazinës me shpresën që herën tjetër do ta hap për tregtarët që do t`i blejnë qepët dhe jo për t`i hedhur në lum të kalbura.

