Doktor Ilir Alimehmeti kandidon në Primaret e PD-së për kryetar të bashkisë së Tiranës

Një figurë jo politike është kandidati i tretë që do të bëhet pjesë e procesit të primareve për bashkinë e Tiranës. 

Nga selia e PD-së mjeku i njohur shpalli sot paradite kandidaturën.

Gjithashtu ai bëri thirrje për pjesëmarrjen masive në protestën e 12 nëntorit "për të nisur çrrënjosjen e të keqes që ka pllakosur këtë vend. Ju ftoj të merrni pjesë dhe të shpëtojmë së bashku Tiranën” tha Ilir Alimehmeti

"Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi. Dhe, miqtë e mi, Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit dhe djersës, ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdonjërit prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua.
 
Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj im në zgjedhjet primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm dhe shpresëndjellës.
 
Pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë gjej njerëz, profesionistë dhe personalitete, që ndajnë të njëjtat shqetësime, kanë të njëjtën ndërgjegje qytetare, kanë të njëjtat vlera, dhe kanë të njëjtin besim se vetëm puna, mundi dhe djersa e pashtershme mundet ta shërojë Tiranën tonë dhe të çojë përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të Tiranës sonë. Ky ekip nuk është hermetikisht i mbyllur. Ai është një ekip i hapur dhe do të pasurohet me figura dhe profesionistë të tjerë me vlera të pamohueshme si nga forcat aleate, si nga shoqëria civile, pasi Tirana është e jona, është e të gjithëve ne!

Deri tani gara në primare për kryetar bashkie të Tiranës ka 3 kandidatura, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Belind Këlliçi.

Kandidatët do të kenë mundësi të dorëzojnë dokumentacionin deri më 6 nëntor për bashkitë, Tiranë, Durrës e Elbasan ndërsa deri më 8 nëntor për bashkitë e tjera. 

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale thanë sot se primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.

Kandidatët në garë do të votohen jo vetëm nga anëtarët por dhe simpatizantët. Ata kanë 21 dite afat per fushate zgjedhore. 

Kush eshte Alimehmeti 

Dr. Ilir Alimehmeti, mjek dhe pedagog, lindur në Tiranë në vitin 1979, nga dy prindër mjekë me eksperiencë përkatësisht mbi 40 dhe 50-vjeçare. Me eksperiencën e tij rreth 15-vjeçare si mjek dhe pas formimit si epidemiolog klinik në Europë Perëndimore, vendosi të rikthehem në Tiranë në vitin 2014 për t’i vënë frytet e punës, mundit dhe djersës në shërbim të komunitetit te tij si profesionist i shëndetësisë dhe si pedagog.