Pedagogët paralajmëruan grevë urie në orën 16:00, Rama nuk ndal sulmin ndaj tyre
Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër lidhur me paralajmërimin e Sindikatës së Pedagogëve për grevë urie nëse nuk realizohen kërkesat e tyre nga qeveria. Rama deklaroi në Qesarakë gjatë inaugurimit të një shkolle se “grevë urie për paga bëjnë vetëm njerëzit, pa fe, pa flamur, pa din e pa iman”, duke vijuar sulmin ndaj kreut të Sindikatës, Sandër Kovaçi.
Që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri.
Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie.
Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.
Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘’nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”.
Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.
Një përfaqësi prej 10 - 15 pedagogësh janë deklaruar të gatshëm të nisin grevën e urisë.