Demokratët s'dinë të bashkohen, Gazment Bardhi: I keqardhur për dështimin
Vendimi për të ndërprerë negociatat e për ti shpallur të dështuara nuk e ka miratimin e të gjithë deputetëve të rreshtuar në krah të Enkelejd Alibeaj. E megjithëse shprehin vullnetin për të dalë me një kandidat të përbashkët, ky mision duket i pamundur.
Një ditë pas akuzave të ndërsjella mes palëve për dështimin e negociatave të paqes në Partinë Demokratike, ka reaguar sërish Gazment Bardhi njeriu që u përfshi në bisedimet me Edi Palokën për zgjidhjen e konfliktit mes demokratëve.
Gazment Bardhi: “I keqardhur, i keqardhur.”
Vendimi i Enkelejd Alibeajt për të dalë me kandidatë të tjerë në zgjedhje përveç atyre të PD-së nuk është pritur mirë edhe nga disa prej deputetëve të rreshtuar krah tij.
Deputetja Dhurata Çupi nuk heq dorë nga apeli për bashkim, pasi e kundërta favorizon Edi Ramën në zgjedhje.
Dhurata Çupi: “Të gjithë bashkë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Të gjithë bashkë me një kandidat. Në vitin 2013 ju e mbani mend shprehjen, ‘të bëhen bashkë gjithë qelbësirat’? Unë sot bëj thirrje të bëhen bashkë gjithë zonjat dhe zotërinjtë e këtij vendi për të shpëtuar vendin nga regjimi i Edi Ramës.”
Të gjendur brenda kësaj përçarjeje, aleatët e vegjël thonë se pavarësisht çfarë do të ndodhë në selinë blu, ata do të rreshtohen me Partinë Demokratike.
Dashamir Shehi: “Ne nuk bashkohemi me asnjë. Pse çfarë jemi ne, dele që të bashkohemi? Me asnjë, me veten tonë."
Dhe pavarësisht kësaj situate, vlen të theksohet se demokratët janë të qartë se armiku për t’u mundur në 14 maj 2023 është Edi Rama dhe forca që ai drejton.