Aksidenti tragjik në Itali/ Nisin hetimet për Orjon Lamen, makina i përkiste një të vdekuri

Orjon Lame, bashkëshorti i Shane Hysenit dhe babai i Matiasit, vetëm 1.4 vjeç vijon të jetë në gjëndje të rëndë dhe i shtruar në sallën e reanimacionit në spitalin Santa Maria Nuova, Itali.

Ai ka qenë në timon të dielën e 30 tetorit 2022, natën e aksidentit tragjik ku humbi jetën bashkëshortja e tij, djali i vogël dhe motra dhe vëllai i Shanes, Rejana, 9 vjeç dhe Resati, 11 vjeç. Makina në të cilën udhëtonin 5 pjesëtarët e familjes u përplas me murin e një banesë të braktisur në rrugën Emilia. 

Ndaj Orjon Lames ka nisur hetim për akuzën e vrasjes në rrugë. Ai iu nënshtrua një testi toksikologjik për të parë nëse kishte marrë alkool apo substanca të tjera dhe për këtë prokuroria pret që rezultatet të dalin sot ose nesër.

Ndërkohë vijojnë të dalin në dritë detaje të tjera. Makina Fiat Stilo me të cilën po lëviznin i përket një personi i cili kishte vdekur këtë vit. Policia thotë se po heton dhe të kaluarën e Orjonit i cili rezulton se nuk ka leje qëndrimi.

Varrimi do të bëhet sipas ritit mysliman në Durrës, vendi i origjinës së familjes shqiptare.

Data nuk është përcaktuar ende, duke qenë se fillimisht do të duhet të plotësohen dokumentet.