"Presidencës i zihet fryma", kërkon 490 mln lekë shtesë nga qeveria për ajrimin në buxhetin e 2023-it
Një deklaratë në kufirin e skandalit ishte ajo e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës i cili kërkoi nga Kuvendi shtimin e buxhetit për vitin e ardhshëm pasi godina e kreut të shtetit është pa sistem ajrimi. Opozita shpërthen në akuza për largimet masive nga puna pas rrotacionit në Presidencë.
Amortizimi nga mos realizimi në kohë i rikonstruksionit të saj ka bërë që godina e Presidentit të Republikës të degradojë aq shumë saqë asaj t’i mungojë madje dhe sistemi i ajrimit.
Sekretari i Përgjithshëm të Presidencës Florian Kali kërkoi nga Komisioni i Ligjeve që të shtohet buxheti për vitin e ardhshëm në mënyrë që ky institucion të sigurojë ndërhyrjet në sistemin e ajrimit, por edhe të marrë masa për blerje kompjuterash për të parandalimin sadopak të rrezikut nga sulmet kibernetike.
"E para është nevoja për rikonstruksionin e godinës. Siç mund të jeni në dijeni, rikonstruksioni i mjediseve të institucionit është bërë 14 vite më parë. Së dyti nevojitet që lidhur me rikonstruksionin e godinës të ketë dhe pajisje logjistike siç janë ngrohja, ajrimi dhe kondicionimi, pajisje elektronike dhe komjuterike që kanë vite në përdorim dhe janë të amortizuara," tha Florian Kali.
Gjithashtu, presidenca kërkoi rritjen e pagave dhe shtimin e numrit të punonjësve deri në 10 persona dhe gjithashtu një fond për rritjen e shpenzimeve të lidhura me veprimtarinë e presidentit.
"Për më tepër dua tjua paraqes që gjendemi përballë një konsensi logjik dhe financiar të cilën do të kërkojmë ta rregullojmë. Flas për nivelin e pagave të institucionit. Do të kërkojmë një rritje në shpenzimet operative prej 50 milion lekësh për përmbushjen e objektivave që institucioni i presidentit ka përcaktuar me takimet brenda dhe jashtë vendit. Plotësimi i kërkesave është vlerësuar nga ana jonë me një kosto prej 490 mln lekësh," tha Florian Kali.
Por kjo kërkesë e Kalit, shkaktoi reagimet e deputetëve të opozitës, të cilët akuzuan Bajram Begajn për shkarkime masive të punonjësve të institucionit në momentin që u ndërrua presidenti.
"Do të doja një sqarim për disa njoftime që kanë dalë në media për disa shkarkime masive në Presidencë. Një pjesë e tyre sipas mediave kanë edhe statusin e nëpunësit civil. Pyetjen dhe sqarimin do të doja ta dija që këto shkarkime masive nëse kanë ndodhur, a mund të sjellin ndonjë impakt në buxhetin tuaj se këta punonjës nëse shkojnë në gjykatë dhe fitojnë gjyqet. Pra, a ka ndodhur apo jo dhe çfarë impakti mund të sjellin?," tha Alibeaj.
"Nuk e pranoj dot që punonjësit që janë marrë në punë, janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Pushimet nga puna të pamotivuara janë të dënueshme kudo që ndodhin. Nuk e pranojmë dot që Presidenca të bëjë pushime masive nga puna, vetëm se u ndërrua Presidenti i Republikës. Punonjësit duhet të kenë qëndrueshmëri në punë," tha Bardhi.
Në kundërpërgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës tha se lëvizjet e stafit janë bërë për shkak të ristrukturimit, ndërsa theksoi se struktura e vjetës ishte në një piramidë jo të drejtë.
Gjatë komisionit të ligjeve pati edhe diskutime nga përfaqësuesit e Prokurorisë, të cilët u shprehën se fondet e siguruara nga ministria e financave nuk janë të mjaftueshme as për të paguar faturën energjitike, ndërsa shtuan se edhe numri i punonjësve të institucionit të KLP-së është i pamjaftueshëm.