Goli dhe autogoli me bashkitë, Alibeaj: Po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023! Kundërpërgjigjet Çuçi

Ndërsa në parlament po diskutohet për reformën teritoriale, opozita akuzoi mazhorancën se po tenton të mbaje ndarjen aktuale të bashkive për të vjedhur zgjdhjet e 2023-shit ashtu siç bëri në 2015. Enkelejd Alibeaj i tha Ministrit të Brendshëm se Komisioni i Reformës Terroritale zbuloi dështimin e pushtetit lokal. Por Çuçi u kundërpërgjigj duke thënë se opozita nuk është koherente me qëndrimet për ndarjen territoriale.

“Maxhoranca po tenton të marrë sërish zgjedhjet e 2023-shit në tavolinë ashtu siç bëri në 2015”, deklaron në parlament, kryetari i deputetëve demokratë Enkelejd Alibeaj.

Ai iu referua rezistencës së shumicës socialiste për të mos ndryshuar ndarjen territoriale të Shqipërisë, miratuar në vitin 2014, për të cilën komisoni i posaçëm parlamentar, doli me dy raporte të ndryshme, një i socialistëve dhe një i demokratëve.

Alibeaj: Në 2014 kur e bëtë të vetëm, e bëtë për një arsye, të fitonin zgjedhjet në tavolinë. Por pas 7 viteve, kur i keni korrur maksimumin fryteve elektorale në mënyrë të padrejtë, një gjë të mirë duhet ta bëni për shqiptarët. Me këtë gjë të sotme, nuk po bëni gjë tjetër veçse po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023.

Por per ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, reforma ka funksionuar dhe raporti i paraqitur nga demokratët sipas tij është i cekët.

Çuçi: Keqardhje për raportin e zonjës Çupi sepse vihet re në mënyrë flagrante moskoherenca mes asaj që tenton të bëjë raporti në analizë me konkluzionin. Raporti ishte negativ sikur asgjë ska funksionuar dhe bëhet një propozim që mban 80 përqind të bashkive që ekzistojnë sot.

Për Alibeajn është pikërisht ky investigim i kryer për funskionimin e reformës që nxjerr zbuluar socialistët.

Alibeaj: Vlera e këtij komisioni është se ku ka arritur pushteti lokal është autogol i madh.

Ministri i Brendshëm  iu kundërpërgjigj, duke pohuar se reforma territoriale ka qenë goli më i bukur i kësaj maxhorance në qeverisjen e parë.

Çuçi: Në lidhje me autogolin, pa diskutim si Ministër mendoj që reforma territoriale ka qenë goli më i bukur i kësaj maxhorance në qeverisjen e parë.

Pavarësisht replikave Çuçi-Alibeaj për “gola dhe autogola” , maxhoranca dhe pse pranoi ngritjen dhe funksonimin e komisionit të reformës territoriale nxori serish jashtë loje opozitën.

E kjo e fundit ashtu si në vitin 2014 kur e bojkotoi reformën territoriale, edhe këtë herë që mori pjesë e mbylli me humbje.