Rama takime në Ersekë, thotë se lejet e qëndrimit nuk janë matës për emigrimin

Kryeministri, Edi Rama, vijon turin e takimeve në qytetet e vendit. Në takimin me fermerët e Ersekës, Rama u ndal sërish te çmimi i energjisë elektrike ku u shpreh se qeveria po bën çmos që qytetarët të mos ndikohen nga kjo situatë.

"Nuk e ka sjellë qeveria as rritjen e çmimit të energjisë, as inflacionin e luftës. Përkundrazi qeveria po bën çmos që ta mbrojë çmimin e energjisë për familjarët, ta mbrojë çmimin e energjisë për bizneset dhe duke mos dashur që atë çmim stratosferik t'ja faturojnë njerëzve, duhet të paguajmë nga buxheti i shtetit shuma kolosale".

Rama gjithashtu përmendi faktin se mbi 700 mijë shqiptarë kanë emigruar përgjatë viteve 2008-2002 dhe se është akuzuar se nuk po lejon shqiptarët të marrin lejet e qëndrimit.

Por sipas tij, në vendet e BE kërkohet dhe vite që të marrësh leje qëndrimi dhe kjo nuk është në dorën e qeverisë shqiptare.

"Ikën 700 mijë nga 2008-2020 dhe si fakt pa pikë turpi nxjerrin lejet e qëndrimit, ndërkohë që e dimë të gjithë që lejet e qëndrimit në vendet e BE nuk përkojnë me njerëzit e ikur po atë vit nga vendet e tyre. Se për marrjen e lejes së qëndrimit duhen ndonjëherë vite".

Pas takimit me fermerët kryeministri zhvilloi një takim me të rinjtë e Ersekës.

"Sot një njeri në moshën tuaj nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë mund ta bëjë nga këtu. Duke mësuar gjuhën e teknologjisë për një treg që është kudo. Mund të punësohesh në Europë, Australi duke qenë këtu. Varianti ik se këtu nuk ke mundësi është i pavërtetë dhe është psikozë.

Midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, flasim për investime të mundura. Nuk do u sugjeroja kurrë që në këtë moshë të iknit. Unë kam qenë emigrant dhe e di shumë mirë çfarë flas, dhe nuk më ka dalë keq dhe nuk mund t’i them askujt mos ik. Por mos ikni kurrë me kotrabandistë dhe rrugë ilegale. Kurrë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi."