Torino ndalon Milanin në momentin më të mirë, Leao shpërdoron (VIDEO)

Pas katër fitoreve rresht në kampionat, Milani ngec në transfertën e Torinos që mund “Djallin” me dy gola të firmosur nga Djidji e Miranchuk brenda dy minutave. Nuk shërbeu për asgjë goli i Messias në pjesën e dytë edhe pse realizimi i brazilianit u kontestua gjatë nga trajneri Juric që përfundoi në dhomat e zhveshjes me karton të kuq.

Ndeshje e interpretuar mirë nga Torino dhe e paqartë për Milanin që nuk arriti të merrte masat për t’i bërë ballë ekipit vendas në momentet kyçe të takimit. Një hap pas në aspektin taktik për kuqezinjtë ku Leao humbi dy raste të arta për të shënuar në 6 minutat e para të ndeshjes.

Me këtë humbje Milani zbret në vendin e tretë të podiumit me 5 pikë diferencë nga Napoli, ndërsa kjo është fitorja e dytë rresht për Torinon pas suksesit në Udine. Neë ndeshjet e tjera të ditës, Lazio u mund në mënyrë të papritur 3-1 nga Salernitana në shtëpi ndërsa Fiorentina kaloi Spezian 2-1.