“Tifozët na ndjekin në stërvitje”, Kadriu: Jemi gjithë grupi bashkë, çdo ndeshje do jetë finale për ne
Erzeni vijon të marrë rezultate pozitive në “Abissnet Superiore“.
Edhe pse në disavantazh 2-0 kundër Vllaznisë, shijakasit ia dolën ta mbyllin ndeshjen në barazim 2-2.
Atmosfera duket tejet pozitive në kampin e Erzenit dhe këtë e konfirmon edhe Florian Kadriu.
Kadiu gjatë një interviste në emisionin “Ora Sport” në “RTV ORA”, tregoi edhe objektivin që klubi ka për këtë sezon në “Abissnet Superiore”.
“Ishte një ndeshje ku ne luftuam për gjithë ato minuta. Treguam karakter. Kemi një grup të mirë dhe arritëm ta kthejmë rezultatin në 2-2. Ndihem shumë mirë, shumë i lumtur. Gjithë grupi jemi ashtu, të gjithë së bashku. Prandaj kemi ato rezultate kaq të mira. Askush nuk e ka pritur këtë Erzen kështu. Por ne e kemi treguar në fushë. Çdo ndeshje do jetë finale për ne. Me këtë grup besoj se do e arrijmë qëllimin tonë. Ne e dimë se çfarë duam. Dua ti falenderoj tifozët. Janë lojtari i 12 për ne. Janë të shumtë në numër. Ka shumë vetë në stërvitje që vijnë na ndjekin. Ne qëllimet tona i kemi të qarta. Qëllimi jonë është të qendrojmë në kategori“, tha Florian Kadiu në RTV ORA.
