Tirana pa mëshirë ndaj Kukësit, bardheblutë rikthehen fuqishëm në “shtëpi”
Tirana eviton një tjetër hap fals dhe me rikthimin në “Selman Stermasi” rikthehet edhe te suksesi me 4 golashënues të ndryshëm duke e shpërndarë peshën e realizimit te shumë lojtarë. Me Xhixhën në sulm por me autorë golash Hasanin, Patrick, Behiratche dhe Limaj, Tirana nuk jep pika referimi.
Nuk pati histori në stadiumin e kryeqytetit ku verilindorët konfirmojnë momentin “jo” pavarësisht tre fitoreve rresht gjatë muajit të fundit. Disfata me Egnatian shoqërohet edhe me atë ndaj kampionëve për Kukësin, një skuadër shumë e brishtë që u mendua se i ksihte zgjidhur të gjitha problemet në skuadër por rikthehet në pikën zero.
Ndeshje pa histori ndërsa Shehi në krahun tjetër duhet të “fërkojë duart” për një ndeshje që vjen si një sinjal i fortë për të gjithë kundërshtarët e Superiores. 18 pikë për bardheblutë, vetëm një ndalesë larg Partizanit. Nuk ka vend për festë në kampin kryeqytetas që tashmë duhet të gjejë vetëm vazhdimësinë pasi lojën po e bën prej shumë javësh. FOTO: LSA











