"Nuk dua tituj lagjesh", Nelson Hysa tregon se do të boksojë në Durrës, Danny Williams boksierin që ‘pensionoi’ Tyson
Boksieri Nelson Hysa një intervistë në “Sport Magazine” me gazetarin Altin Sulçe tregoi se në datë 13 nëntor do të zhvillojë një ndeshje të rëndësishme në Durrës me një nivel boksieri që nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri.
Hysa do të ndeshet me Danny Williams për të cilin thotë se ka “nderin të boksoj me atë boksier’
Nelson Hysa: Në këto kohë që po flasim jam në stërvitje. Kjo periudhë është ndër më të ngjeshurat e mia. Më datë 13 nëntor do të kem një ndeshje të rëndësishme në Durrës, një ndeshje me një nivel boksieri që nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Boksieri që do të boksoj është Danny Williams. Unë kam nderin të boksoj me atë boksier. Danny Williams është boksieri që ka qenë numri 2 në botë, që ka nxjerrë në pension Mike Tyson. Ka qenë 3 herë Kampion Anglie. Ka qenë 5 herë në radhë për tu bërë kampion bote. Ka 53 fitore, është boksieri më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Edhe publiku që po na ndjek duhet ti ndajë gjërat.
Por si mendon se do të dalë në atë ndeshje?
Nelson Hysa: Në sportin tonë humbja dhe fitorja janë aq afër, sidomos në peshat tona. Me një grusht përfundon ndeshja. Ka shumë kohë që po pres me duelu një boksier të vërtetë. Kam dhe 2 miq të familjes që po më mbështesin me të gjitha gjërat, anën materiale e ndeshjen.
Hysa tregoi dhe se cila është ëndërra e tij.
Nelson Hysa: Shikoj ëndërra por ka pak kohë që i shikoj me sy hapur. Kam një ëndërr për të cilën dhe kur flas emocionohem. Unë besoj te vetja te fuqitë e mia dhe me çfarë po shoh në boksin profesionist kam një ëndërr që një ditë të ndeshem për një titull të madh, jo tituj lagjesh. Kam një shpresë në rrugën që po ndjek me stërvitjen dhe njerëzit që kam afër kam ëndërr që një ditë të boksoj dhe të dueloj për një titull serioz kampion bote.
