200 urgjenca në ditë tek Trauma, prej dy vitesh spitali pret edhe urgjencat kirurgjikale të QSUT-së
Prej vitit 2020 kur po presin edhe urgjencat kirurgjikale të QSUT-së, mjekët e Spitalit Universitar të Traumës po përballen me mbingarkesë në punën e tyre.
Në këtë spital vetëm gjatë një dite trajtohen rreth 200 urgjenca.
Mjekët thonë se pavarësisht fluksit të shtuar kapacitetet mbeten të njëjta.
“Jemi duke i bërë me të njëjtën infrastukturë që kemi pasur dhe me të njëjtin personel mjekësor. megjithatë kemi pasur edhe një ndihmë nga ministria që na kanë ardhur mjekë specializantë.”
I lartë është edhe numri i operacioneve.
“Ne mund të bëjmë operacione mesatare në urgjencë 20-30 në ditë që është shumë.”
Shefi i Shërbimit të Mjekësisë Interne, Vrenos Hodaj thotë se më të shpeshta në këtë spital janë urgjencat e aksidenteve rrugore.
“Kemi shumë truma që vijnë nga rënia në lartësi dhe mjetet prerëse. Po ashtu kemi edhe trauma nga moshat e treta që ndodhin në shtëpi.”
Të paktën 95% e shtretërve në këtë spital janë të zënë.
Doktor Vrenos Hodaj thekson domosdoshmërinë e ngritjes së strukturave rehabilituese për pacientët e Traumës.
“Këta pacientë që janë të kësaj moshe dhe janë në spital, nëse shkojnë në strukturat rehabilituese që të marrin shërbim të dedikuar dhe ne lirojmë kapacitetet spitalore.”
Sipas të dhënave të Spitalit Universitar të Traumës nga janari deri në tetor kanë marrë trajtim pranë institucioni mbi 40 mijë persona.
Spitali Universitar i Traumës nga 20 marsi i 2020-s u kthye në spitalin që pret edhe urgjencat kirurgjikale të QSUT-së.
Në QSUT u “paralizua” pjesërisht shërbimi, pasi u përqëndrua puna në pritjen dhe menaxhimin e pacientëve pozitiv me Covid.
Kjo situatë ka sjellë një mbingarkesë për stafin e Spitalit të Traumës.
