Tiranë, lëvizte me pistoletë dhe drogë me vete, arrestohet 32-vjeçari
Finalizohet nga Forca e Posaçme "Shqiponja", operacioni policor i koduar "Walker" ku është arrestuar një 32-vjeçar.
Policia bën me dije se ai lëvizte me armë zjarri (pistoletë) dhe me lëndë narkotike me vete, të cilat i janë sekuestruar.
“Shërbimet e Policisë, mbështetur nga inteligjenca informative se në rrugën "Myslym Keta", lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Walker”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. Y., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik të 32-vjeçarit, në rrugën "Myslym Keta", shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri (pistoletë) dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
