Tiranë, i morën 25 mijë euro gruas se do t’i gjenin apartament, arrestohet 37-vjeçari, një tjetër në kërkim
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, ku është vënë në pranga një shtetas që përvetësoi nëpërmjet mashtrimit shumën 25 000 euro.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. B., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi D. R., 35 vjeç.
“Specialistët e Seksionit të Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Fraud". Shtetasi E. B., dhe D. R., duke qenë të punësuar si administratorë në një subjekt, kanë përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 25 mijë euro, nga një shtetase, me pretendimin se do t’i blinin asaj një apartament.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
