Të huajt po investojnë në prona, alarmi i Bankës së Shqipërisë: S’e dimë se cila është origjina e tyre

Shtetasit jo rezidentë po kthehen në shqetësim sa I përket synimit të tyre për të investuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Alarmi vjen nga Banka e Shqipërisë e cila raporton se nuk ka të dhëna për arsyet e këtyre investimeve në prona dhe as për vetë personat që kërkojnë të blejnë në vendin tonë.

Investimet e huaja direkte po diversifikohen dhe janë në tendencë pozitive, ku peshën të madhe zënë pasuritë e paluajtshme dhe sektori i infrastrukturës e energjisë.

Megjithatë në vlerësimin e saj, Banka e Shqipërisë nuk jep të dhëna të detajuara për origjinën dhe tipologjinë e investitorëve.

Ajo thotë se nuk ka të dhëna të qarta se përse individë jo rezidentë investojnë pasuri të paluajtshme në vendin tonë, e as nuk dihet origjina e vetë investitorëve.

Në mungesë të këtyre informacioneve vetë Banka e Shqipërisë aludon se këta blerës potencialë mund të jenë nga vende si Kosova dhe Italia.

Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e Investimeve të Huaja Direkte në sektorët e tregtueshëm ka kontribuar në rritjen e fuqisë eksportuese të vendit dhe në ndërlidhjen e tij me projekte madhore, sikurse Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Në të njëjtën kohë, harta gjeografike e IHD-ve është zgjeruar duke përfshirë Zvicrën, Holandën, Kanadanë.

Kjo rritje pozitive luan rol në zhvillimin ekonomik, ndaj dhe politikat ekonomike synojnë tërheqjen investimeve të huaja në mënyrë që të nxitet përhapja e teknologjisë dhe njohurive të reja, e të diversifikohen eksportet.