Ish-krerët e FRPD-së duan Tiranën, pas Këlliçit, Bogdani zyrtarizon kandidaturën për primaret në PD

Pas Belind Këlliçit, emri i dytë që vjen nga Partia Demokratike është ai i Gert Bogdanit, i cili njoftoi këtë të kandidimin e tij në primaret që po organizon PD-ja në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm. Bogdani akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj si autorin e betonizimit dhe mbytjes së Tiranës. Si Këlliçi dhe Bogdani vijnë nga i drejtimit të Forumit Rinor, të kësaj partie.

Pas Belind Këlliçit, edhe Gert Bogdani synon drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Nga foltorja e selisë blu, ish-deputeti demokrat shpalli këtë të dielën kandidaturën për tu bërë pjesë e primareve të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës.

“Shpallja e kandidaturës në këtë proces primaresh, është zotimi im për të shërbyer me përkushtim dhe përulësi –  për t’i prirë kthesës për ndryshim që Tirana kërkon dhe meriton si metropol i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Për t’i prirë rimëkëmbjes së Tiranës, e cila do të vijë vetëm përmes një vizioni të qartë të bazuar mbi transparencë dhe një programi që në qendër ka dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit.”

Bogdani nuk i kurseu akuzat ndaj Erion Veliajt, njeriut që pretendon ta ketë kundërshtar në 14 maj të vitit të ardhshëm.

“Nuk ka asnjë banor të Tiranës, që nuk i vuan sot pasojat e keqmenaxhimit të qytetit! Duke filluar që nga fëmijët, të cilëve u janë zhvatur hapësirat e gjelbëra dhe parqet e lojërave, për t’i kthyer në beton! Ndërtimet dhe betonizimi pa kriter që po i marrin frymën çdo ditë e më shumë çdo banori të këtij qyteti! Trafiku i rënduar çdo orë të ditës dhe çdo ditë të javës, i cili i vjedh qytetarëve para dhe kohë; Ajri i ndotur që thithim përditë dhe ndotja akustike nga kamionët dhe betonieret që e kanë pushtuar qytetin. Shkatërrimi i gjelbërimit, për të mbjellë beton!”

Ashtu si deputeti Belind Këlliçi, edhe Gerti Bogdani rrjedhin nga posti drejtues i Forumit Rinor të kësaj partie.

Në vitin 2015, Bogdani ia pasoi këtë forum Belind Këllici i cili në atë kohë arriti të fitojë simpatinë e të rinjve demokratë përballë Ervin Salianjit dhe Oriela Nebiajt.

Dhe pak ditë pasi e dorëzoi mandatin e kreut të FRPD-së tek Besart Xhaferi, Belind Këlliçi shpalli të enjten që lamë pas kandidaturën e tij për primaret në PD.

Tashmë ambicia e Bogdanit dhe Këlliçit është të dalin përballë kandidatit të mazhorancës për të marrë pushtetin në bashkinë më të madhe të vendit.

Pas shpalljes së kandidaturave nga data 6 deri më 13 nëntor, këshilli kombëtar i PD pritet të filtrojë pjesëmarrjen dhe të dalë më kandidatë zyrtarë, teksa në 14 deri në 27 nëntor të përzgjedhurit në lista do të mbajnë fushatën për primaret.