Preken nga projekti i rrugës, banorët e Bërxullës në protestë: Vjedhje e pastër, nuk mund të na nëpërkëmbin

Dile Budja, 87 vjeçe ju bashkua protestës së banorëve të Bërxullës, pasi nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar i preken 8 mijë m2 tokë.

“Paskan qenë maskarenj. Nuk mendojnë për popullin por mendojnë vetëm për vete. E kanë zaptuar vendin të gjithin.“

Ajo thotë se vlerësimi që i bëhet tokës së saj është qesharak dhe kërkon të vlerësohet sipas çmmit të tregut.

“4 milion, sa mund të ha unë me 4 milion? Unë 150 mijë lekë e kam pensionin, është bërë një kile vaj 4 mijë lekë. Ky është shtet i korruptuar ëshët shtet hajdutësh.”

Banorët e tjerë thonë se nëse nuk do të merren masa për kërkesat e tyre do ët përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugës nacionale.

“Është një vjedhje e pastër i një individi kundrejt një komuniteti i cili është pronar i ligjshëm. Ne nuk jemi aq budallenj sa të mund të na nëpërkëmbin më. Do ta çojmë çështjen deri në Stransburg.”

“ I bëj thirrje ministrisë të ndryshojë VKM-në e shpronsimit. I bëj thirrje drejtorisë së Shpronësimit të nxjerri një vlerë tregu për të gjithë banorët.”

Nga ky projekt preken 20 banesa ndërsa janë edhe sipërfaqe të mëdha toke ku pronarët e tyre ende nuk kanë asnjë zgjidhje nga institucionet shtetërore.