"Spiunët rusë" duan lirinë, bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë

Tre shtetasit rusë dhe ukrainas që tentuan të fotografojnë uzinën ushtarake të Gramshit, në muajin gusht, kanë bërë rekurs në gjykatën e lartë, ku kërkojnë lirimin nga arresti me burg. Ata akuzohen se kanë bërë spiunazh duke filmuar e fotogrfuar objekte të rëndësisë, së veçantë në Shqipëri për llogari të agjenturave të vendeve jo mike dhe janë lënë në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli.

Tre shtetasit e huaj të arrestuar pas tentativës për të hyrë në uzinën e armëve në Gramsh, kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekurs kundër masës së arrestit me burg të vendosur ndaj tyre, nga gjykata e Elbasanit dhe Apeli.

Objekti i kërkesës së regjistruar në gjykatën e lartë më 25 tetor 2022, është ankimi kundër “vlerësimit të arrestimit në flagrancë dhe caktimit të masës arrest me burg”. Shtetasit rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov, akuzohen nga Prokuroria shqiptare për veprat penale për kryerjen e veprave penale "Sigurimi i informatave", dhe "Goditja për shkak të detyres".

Rekursi në Gjykatën e Lartë mban emrin e ukrainasit Fedir Alpatov dhe kërkon ndryshimin e masës me burg. Ukrainasi së bashku me dy shtetasit rusë, u arrestuan në gusht të këtij viti pasi tentuan të hyjnë në uzinën e armëve në Gramsh, me pajisje filmimi dhe vëzhgimi.

Pasi u pikasën nga ushtarët shqiptarë që ruajnë uzinën, ata u hodhën atyre spraj kimik në fytyrë dhe tentuan të largohen, por më pas u ndaluan nga efektivë të tjerë të shërbimit të rojes. Pas arrestimit, shtetasi rus Mikhail Zorin ka treguar se është afruar tek uzina ushtarake për të bërë foto.

23-vjeçari ka treguar se me dronin që u gjet në çantë, ka filmuar mbi liqenin e Bovillës dhe ka filmuar gjithashtu edhe në portin e Durrësit.

Prokuroria ka ngritur ndaj tyre, akuzën e spiunazhit pasi dyshon se shtetasit e huaj kanë bërë filmime dhe forografime të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës.

Grupi i tre personave kishin hyrë në Shqipëri rreth një muaj para arrestimit. Me pretekstin se punonin si bloger, ata publikonin foto në internet në një faqe ku më herët kanë vendosur fotografi nga Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia e së fundmi nga Italia.