Llatja si Veliaj/ Jep 130 mln lekë pa garë, tenderi për rikonstruksionin e shkollës, skualifikon ofertat më të ulëta
Kryebashkiakët socialistë duket se janë infektuar nga virusi i miratimit të tenderave pa garë. Një i tillë është dhënë së fundmi nga Bashkia e Elbasanit, ku nga 3 kompani pjesëmarrëse 2 janë skualifikuar, njëra prej të cilave bëri dhe ofertën më të ulët, ndërsa procedura ka vijuar me një kompani të vetme e cila në përfundim ka përfituar 130 milionë lekë për rikonstruktimin e një shkolle.
Bashkia e Elbasanit ka regjistruar tenderin e rradhës përmes një procedure që lë hapësirë për dyshime.
Kjo pasi institucioni që drejtohet nga Gledian Llatja, ka bërë një tender për rikosntruksionin e shkollës së mesme "Kostandin Kristoforidhi”, të cilin e ka dhënë pa garë.
Në prokurimin me vlerë 130 milionë lekë, ose rreth 1.1 milionë euro, kanë marrë pjesë 3 kompani, të cilat janë “Bajrami N”, subjekti “BE-IS” dhe bashkimi i operatorëve “Meteo” dhe “Shendelli”.
Sipas dokumenteve zyrtare, dy nga tre kompanitë pjesëmarrëse janë skualifikuar nga gara, ndërsa procedura ka vijuar me operatorin ekonimik “Bajrami N”, i cili është shpallur dhe fitues.
Por një nga dy kompanitë e skualifikuara, konkretisht bashkimi i operatorëve “Meteo” dhe “Shendelli” kishin paraqitur rreth 102 mijë euro më pak se oferta fituese.
Edhe pse tenderin e ka fituar pa konkurrent, kompania ka kërkuar sa 91% të vlerës së tenderit për të kryer punën brenda 8 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Mesa duket kompania fituese është një nga të preferuarat e Bashkisë së Elbasanit dhe institucioneve që janë nën varësinë e saj.
Kujtojmë se para disa javësh ky subjekt fitoi tenderin prej 1.5 milionë eurosh nga Ujësjesllësi i Elbasanit, në një procedurë pa garë.
