Pr/buxheti, “ekonomia” me kritika, deputetët e opozitës: Nuk e kemi paketën e plotë fiskale
Deputetët e opozitës kërkojnë t’u dorëzohet paketa e plotë fiskale para se të vijojnë me shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. Edhe në komisionin e ekonomisë ka pasur debate për këtë çështje. Ndërkohë që atyre kritika për draftin e propozuar nga qeveria patën edhe socialistët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj
Projektbuxheti për vitin e ardhshëm ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë, pasi deputetët e opozitës u shprehën se mbledhja është e paligjshme, për sa kohë që atyre nuk u është dorëzuar paketa e plotë fiskale.
"Mbledhja e djeshme që u zhvillua në Komisionin e Ekonomisë ishte e paligjshme. Nuk e ka të plotë paketën fiskale dhe projektligjet fiskale. Është e pamundur që deputetët e këtij komisioni të diskutojnë në shkelje të ligjit buxhetin e shtetit kur nuk kemi paketën fiskale," tha Tabaku.
"Për të mirën e këtij komisioni dhe për të mirën e dhënies së argumentimeve më profesioniste, por me çka ka përgatitur Ministria do të ishte e udhës që gjithë materialet të na vihen në dispozicion për ti lexuar, për ti konsultuar e më pas të vijmë të bëjmë debat në komision," tha Arbi Agalliu.
Nga ana tjetër, edhe deputeti socialist, Erion Braçe, evidentoi mangësitë në paketën fiskale duke vënë në dukje se është e domosdoshme edhe një analizë mbi procesin e fiskalizimit, pasi siç u shpreh është rritur presioni ndaj biznesit të vogël.
"Besoj që është e domosdoshme një analizë mbi procesin e fiskalizimit, pasi iu dëgjova të thonit se politikën e re të ndëshkimit të gjobave, për qarkullimin e mallit pa faturë e keni adresuar tek biznesi i madh. Ndërkohë që presioni i biznesit të vogël, i atij që është në fashën 14 mln lekë pëërkundrejt biznesit të madh për të mos marrë mall pa faturë është rritur jashtë mase," tha Braçe.
Kritika kishte edhe socialisti Vullnet Sinaj, i cili u shpreh kundër kundër qeverisë për rritjen e akcizës së birrës, ku sipas tij penalizohen bizneset vendase, pasi janë të vetmet që vendosin pullë fiskalë dhe nuk mund t’i fshehin të ardhurat.