Veliaj, 24 mijë euro pa garë, tenderi nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit për kultivimin e akacieve

Institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë vijojnë të shpallin fitues pa garë. Së fundmi është Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila ka shpallur fitues për pyllëzimin me akacie të 20 hektarëve në Pezë, të vetmen kompani që kishte aplikuar.

Pas Bashkisë së Tiranës edhe institucionet që janë nën varësinë e saj vijojnë të bëjnë procedura të dyshimta.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, e cila merret edhe me mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve dhe kullotave në territorin e Bashkisë së Tiranës, ka bërë një tender për pyllëzimin me akacie të 20 hektarëve në Njësinë Administrative Pezë.

Për këtë punë, Agjencia që është nën varësinë e Erion Veliajt do të shpenzojë 28.3 milionë lekë, ose rreth 24 mijë euro.

Sipas dokumenteve zyrtare, në procedurë ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila përbëhet nga bashkimi i operatorëve “Asper Konstruksion” “Xhepi” dhe “Korsel”, e cila është shpallur fituese, pasi autoriteti kontraktual nuk ka pasur vërejtje për përmbushjen e kritereve.

Edhe pse procedura është bërë vetëm me një konkurrent, kompania ka kërkuar rreth 28 milionë lekë, ose rreth 98.8% të fondit limit për të realizuar punën.

Ky është një tjetër rast që Agjencia nën drejtimin e Erinda Finos, ka nënshkuar pa garë.