Fasha 800 kW/h në fuqi për nëntor - dhjetor, ERE konfirmon rritjen e çmimit të energjisë

Enti Rregullator i Energjisë konfirmon shtrenjtimin e energjisë elektrike për muajin nëntor dhe dhjetor.

Në këto dy muaj do të hyjë në fuqi aplikimi i fashës 800 KW/h, sipas të cilit familjet që tejkalojnë këtë fashë energjinë do të paguajnë me çmimin e tregut.

Në njoftimin e saj ERE informon se ky vendim do të mbete tobjekt i rishikimit periodik.

"Vendimi i Brodit të ERE-s nr. 242 datë 23.09.2022, i ndryshuar me vendimin e Bordit nr.254 datë 07.10.2022, qëndron në fuqi për muajt nëntor - dhjetor 2022, dhe këto çmime mbeten të aplikueshme, ashtu si përcaktuar në vendim, për periudhën 1 nëntor 2022 - 31 dhjetor 2022.

Sic theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatoret që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 kW, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal" thuhet në njoftimin për shtyp.

Dje Bordi i ERE rrëzoi kërkesën e deputetes Jorida Tabaku për heqjen e fashës 800 kWh që ka vendosur qeveria për mungesë argumentesh.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama mohon që vendosja e fashës do të thotë rritje të çmimit të energjisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp dje me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen Rama deklaroi: "E dëgjoj të përsëritur pyetjen “do hiqni dorë nga rritja e çmimit të energjisë”. Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë. S’e kemi thënë kurrë këtë gjë. Vendosja e fashës 800 kWh nuk është rritje e çmimit të energjisë. Është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë të gjitha nevojat bazike, të gjitha, pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë.

Kjo është e llogaritur dhe mbi 1 milion konsumatorë, abonentë familjarë, 1.2 milionë më saktë, janë maksimumi 60 mijë familje të cilat konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo për ftohje. Ky është komplet gjë tjetër në krahasim me fjalorin “rritje e çmimit të energjisë”.