Bashkia Devoll jep 790 mijë € pa garë për rikonstruksionin e shkollës, aplikon vetëm një kompani
Rikonstruksioni i shkollës “Myrteza Sala” në Bilisht do të kushtojë 790 mijë euro, ndërsa Bashkia e Devollit fituesin e tenderit e ka shpallur pa konkurim.
Tenderët pa konkurim vijojnë të jetë një metodë e zakonshme për institucionet e pushtetit vendor. Këtë herë është Bashkia e Devollit, e cila së fundmi ka hapur një tender për rikonstruksionin e shkollës fillore “Myrteza Sala” në Bilisht dhe procedura është bërë pa garë.
Në prokurimin me vlerë 91 milionë lekë ose rreth 790 mijë euro, ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila përbëhet nga bashkimi i operatorëve ALKO-IMPEX General Construction dhe ALKO IMPEX CONSTRUCTION, e cila automatikisht është shpallur fituese, pasi autoriteti që ka hapur tenderin nuk ka vërejtur problem në kriteret e paraqitura.
Megjithse procedura është zhvilluar pa konkurim, dukshëm vihet re se shuma e kërkuar nga kompania për realizimin e punimeve ka qenë sa 99% të vlerës së tenderit.
Punimet për rikonstruksionin e shkollës do të duhet të përfundojnë brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Edhe në verifikimet e kryera nga Open Data, kjo procedurë është vlerësuar me flamur të kuq me arsyen e mungesës së konkurrencës.
Dy kompanitë fituese mesa duket janë të preferuarat e bashkive në procedurat publike, pasi pak javë më parë me të njëjtën procedurë fituan tenderin prej 5.5 miliardë lekësh në Bashkinë e Kavajës.
Edhe pse garojnë si bashkime operatorësh, subjektet menaxhohen nga i njëjti person që është Arbër Abazi, i cili rezulton pronar tek njëra dhe administrator tek tjetra.
