PD dënon shqyrtimin e Projektbuxhetit 2023 pa Paketën fiskale: Çoroditje qeveritare e klasit të fundit!

Partia Demokratike ka reaguar sot nëpërmjet deputetes së saj Sorina Koti lidhur me projektbuxhetin e  vitit 2023.

Në një dalje për mediat nga selia blu, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, tha se qeveria me një akt arrogance ka shtruar për diskutim në komision projektbuxhetin e vitit të ardhshëm pa e shoqëruar me Paketën Fiskale.

Deklarata e plotë

Sot në Komisionin e Ekonomisë është diskutuar për projektbuxhetin, pa e shoqëruar me paketën fiskale, sipas traditës dhe sipas logjikës.

Diskutimi i projektbuxhetit pa paketën fiskale është si të dalësh për të bërë pazarin pa e ditur se sa ke për të shpenzuar për çdo artikull që duhet të blesh. 

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë sjellje anti-parlamentare të mazhorancës me patericë të Edi Ramës, e cila i sheh rregullat dhe ligjet me pasionin e një kundravajtësi dependent.

Jo vetëm që kjo praktikë e re anti-paralmentare bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, neni 78 pika 3, por edhe me kalendarin e punimeve të Kuvendit, në të cilin është sanksionuar se projekt-buxheti dhe paketa fiskale do të diskutohen së bashku.

Për dijeni të publikut, kalendari i punimeve është dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve, dhe është hedhur poshtë sot nga shkelësit e cdo rregulloreje, pakti dhe tradite, rilindësit e Edi Ramës.

Për dijeni të publikut, ndërkohë që në kuvend diskutohet project-buxheti, pra si do të ndahen shpenzimet zë për zë në buxhetin e shtetit, në Këshillin e ministrave diskutohet paketa fiskale, pra sa lekë do të jepen. Një mospërputhje totale e veprimeve, dëshmi e një ëoroditjeje qeveritare të klasit të fundit.

Tradita parlamentare dhe e shtetbërjes është e konsoliduar tashmë. Në fillim sillet Paketa fiskale dhe pastaj vjen Projekt-Buxheti. Në rastin më minimal ato vijnë të dyja bashkë.Por, asnjëherë nuk ndodh që Projekt-buxheti të vijë para, sic po ndodh aktualisht.

Kjo shenjë arrogance, ky obezitet i pushtetit, u pa edhe sot në debatet në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku opozita dhe fjala e saj u trajtuan si qëndrimet e një armiku që duhet shmangur.

Nuk presim më shumë, dhe as më pak, nga një qeveri e tillë e cila përkryen korrupsionin, shton vjedhjet në kurriz të qytetarit dhe nuk konsideron punët e shtetit. Sepse shteti dhe pushteti nuk janë e njëjta gjë, sic na e provon Edi Rama prej 10 vitesh.

Kjo është qeveri e rrezikut kombëtar dhe si e tillë duhet trajtuar. Kundër kësaj arrogance dhe vetëkënaqësie duhet të protestojmë dhe kundër saj do të ngrihemi më 12 nëntor.