“Rama i përgjigjet krizës globale”, Ibrahimaj mbron “Projektbuxhetin 2023” në Komisionin e Ekonomisë
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka mbrojtur projektbuxhetin për vitin 2023 në Komisionin e Ekonomisë duke deklaruar se materializon dy objektivat kryesore, zbutjen e krizës globale dhe konsolidimin fiskal të financave publike.
"Krahas këtyre dy objektivave themelorë dhe politikës fiskale buxheti i viti që vjen materializon dhe një sërë politikash buxhetore dhe projektesh investimi."
Ministrja Ibrahimaj përsërit se rritja ekonomike pritet të arrijë në 2.6%.
"Kjo rritje do gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet por në një masë marxhinale pritet të kontribuojë pozitivisht dhe kërkesa e huaj në neto e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve, mallrave dhe shërbimeve.
Nga optika e kërkesës agregate, rritja reale ekonomike për vitin tjetër parashikohet të gjenerohet nga një rritje reale e konsumit final prej 1.3%, rritje reale e investimeve me 4.5% dhe rritja reale e eksporteve neto me 3.6%".
Teksa për vitin që lëmë pas inflacioni i lartë ka goditur ekonominë, Ibrahimaj deklaroi se inflacioni pritet të ulet përmes këtij projektbuxheti.
"Në skenarin tonë bazë parashikojmë një normë mesatare të inflacionit prej 3.6% për vitin e ardhshëm me një tendencë rënëse gjatë vitit duke arritur në rreth 3% në fund të vitit 2023".
Ministrja e Financave nënvizoi se në bazë të parashikimeve makroekonomike, të ardhurat buxhetore për vitin 2023 parashikohet të arrijë në 631.7 miliard lekë, ndërsa shpenzimet pritet të arrijnë vlerën 687.2 miliard lekë.
