Tabaku: Projektbuxheti 2023 në Kushtetuese, nuk mund të prezantohet pa paketë fiskale

Në nisje të Komisionit të Ekonomisë, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kërkuar që mbledhja të mos zhvillohet pa pasur paketën fiskale.

"Kërkoj të marrim projektligjet financiare, të njihemi me to. Deri 5 minuta para mbledhjes kam folur me stafin e Komisionit nuk janë dorëzuar akoma, më thonë që sot do të kalojnë në qeveri. Kur nuk kanë kaluar në qeveri është e pamundur që ne të diskutojmë buxhetin pa ditur efektin financiar të ligjeve. Nuk e lejon ligji zonja Ministre. Na sillni projektligjet financiare të diskutojmë buxhetin e shtetit."

Deputetja Tabaku pas debatit në Komision ka deklaruar në një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit duke paralajmëruar se projektbuxhetin e vitit 2023 do ta depozitojë në Gjykatën Kushtetuese.

Tabaku thekson se projektbuxheti nuk mund të prezantohet pa ligjet fiskale.

"Ndërkohë që ne flasim, qeveria shqiptare nuk i ka miratuar ligjet fiskale dhe po diskuton buxhetin. Ajo që po ndodh sot në Komisionin  e Ekonomisë është antiligjore, është antikushtetuese, është një shkelje e Rregullores së Kuvendit, është një shkelje e Kushtetutës, për të cilën kjo mbledhje  e sotme nuk anulohet dhe nuk ripërsëritet, unë po ju njoftoj se në emër të PD ne do ta çojmë buxhetin e shtetit në Gjykatë Kushtetuese."

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm është kritikuar dhe nga forca të tjera opozitare sipas të cilëve do të gjenerojë vetëm krizë për shqiptarët.