Balluku fik dritat e shtetit: Institucionet do monitorohen nga Task Forca
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet, ndërsa siguroi se nuk do të ketë as kufizime të energjisë.
Gjatë një takimi me administratorët e energjisë, në kuadër të planit të masave për kursim, Balluku bëri të ditur se abonentët familjarë po tregohen gjithmonë e më të përgjegjshëm sa i takon kursimit duke ndikuar kështu në uljen e konsumit të përgjithshëm në rang vendi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
"Synimi ynë është ulja e konsumit të energjisë. Gjatë këtij muaji ka vazhduar akoma ulja e konsumit të energjisë nga familjarët dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sot që flasim, duke e krahasuar me vitin e mëparshëm, me 25 ditët e para të muajit tetor të 2021-shit, jemi në 5% më pak konsum në rang vendi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse tregon që njerëzit kanë reaguar".
Ajo apeloi drejtuesit e institucioneve shtetërore të kursejnë energjinë, teksa kujtoi se në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria do të ketë edhe penalitete.
"Përmes një Akti Normativ, kemi marrë një zotim, të ulim konsumin me 15 % për çdo institucion. Siç është dhe direktiva e BE-së. Ulja krahasohet me faturën e një viti më parë. Në rast se ne arrijmë të ulim konsumin me 15 % për çdo institucion, ulet me 1 % konsumi në total, që do të thotë rreth 30 milionë euro në vit kursim.
Do ketë dhe penalitete administrative nga Agjencia e eficensës së energjisë. I gjithë procesi do monitorohet dhe ndiqet nga Task Forca që do të qëndrojë në terren, do kontrollojë të gjitha ndërtesat shtetërore për të kursyer energji dhe qenë efiçentë. Do të donim që gjithë fasadat e rikonstruktuara, të gjitha ndërtesat që kanë vlerë historike të qëndronin gjithmonë të dukshme por sot na duhet të kursejmë."

