Rama nuk tërhiqet nga aministia fiskale, por po punohet që drafti të ketë pëlqimin e BE-së

Duket se mazhoranca është e vendosur për të miratuar amnistinë fiskale. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se po konsultohen me partnerët e Bashkimit Evropian për të arritur në një draft të përbashkët që do të ketë pëlqimin e tyre edhe pse amnistia fiskale nuk e ka patur mbështetjen e plotë nga partnerët e Bashkimit Evropian.

Partia Socialiste nuk bën asnjë hap pas sa i përket amnistisë fiskale të parave që vjen nga puna e zezë e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Edhe pse kundërshtimi i kësaj nisme është reflektuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian në raportin e progresit për Shqipërinë, socialistët janë të vendosur për t’iu bindur urdhrit të kryetarit të tyre Edi Rama, ndërsa thonë se po konsultohen me ndërkombëtarët për të arritur në konsensus.

Gjatë një konference për median me deputeten e Bundestagut Gabriela Heinrich, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh i bindur për tolerimin e qeverisë shqiptare nga partnerët ndërkombëtarë.

Taulant Balla: “Qeveria shqiptare për çështjen e amnistisë fiskale vazhdon një komunikim intensiv edhe në këtë moment që flasim me përfaqësuesit, ekspertët e delegacionit europian. Të jeni të sigurt që Qeveria do të vazhdojë këtë konsultim. Një gjë është e sigurt që ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Bashkimin Europian dhe jam i sigurt që do të arrijmë në një draft i cili të ketë edhe dakortësinë e tyre.”

Sipas Ballës amnistia fiskale dhe taksa e jashtëzakonshme që do ti vendoset 3 prodhuesve më të mëdhenj të energjisë janë mënyra më e mirë që të sigurohen të ardhura shtesë, në mënyrë që qeveria të ketë burime për të përballuar krizën që po vjen nga lufta.

Taulant Balla:Është të kuptojmë që në këtë situatë të vështirë ekonomike që është shkaktuar nga inflacioni i luftës dhe luftën nuk e kemi sjellë ne as në Shqipëri as në Gjermani. Luftën në Europë e ka sjellë Vladimir Putin dhe natyrshëm që të gjitha qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për të përballuar efektet e krizës. Amnistia fiskale është një mundësi e artë për të siguruar më shumë të ardhura, për ti ardhur në ndihmë atyrë që kanë më shumë nevojë sikurse po sulohet edhe taksa e jashtëzakonshme.”

“Kriza është dicka që ka ardhur nga lufta dhe qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për të siguruar burime. do jetë dhe taksa e jashtëzakonshme ndaj 3 prodhuesve më të mëdhenj të eenrgjisë që do të na ndihmojë.”

Gjithashtu ditën e hënë pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë socialiste do të ketë edhe një komunikim në lidhje me reformën territoriale ku do të diskutohet edhe në parlament pasi janë dërguar dy raporte të ndryshme nga mazhoranca dhe opozita për ndarjen e bashkive.